Kosova

Instruktore në Ferizaj ndëshkohet me 200 euro gjobë dhe tre muaj ndalim drejtimi – kandidatja e saj përdori telefonin gjatë ngasjes

Një instruktore e auto–shkollës në Ferizaj është ndëshkuar me 200 euro gjobë, dy pikë negative dhe masë mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik për tre muaj, pasi kandidatja e saj u kap duke përdorur telefonin gjatë ushtrimeve praktike.

Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti ka ndodhur në rrugën “Brahim Ademi”, ku patrulla e Njësisë së Komunikacionit Rrugor ka ndaluar automjetin e auto–shkollës që drejtohej nga kandidatja G.H., nën mbikëqyrjen e instruktore­s së shoferëve N.S. (51 vjeçe). Gjatë kontrollit, kandidatja është kapur në flagrancë duke përdorur telefonin celular, gjë që përbën kundërvajtje sipas Ligjit Nr. 05/L-064 për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Duke qenë se instruktorja është përgjegjëse për veprimet e kandidatit gjatë procesit të trajnimit, ndaj saj policia ka shqiptuar masat ndëshkuese në bazë të Ligjit Nr. 08/L-186, neni 231, paragrafi 9.2.

Policia ka bërë të ditur se e njëjta instruktore është evidentuar edhe më parë për kundërvajtje të ngjashme, duke përdorur telefonin gjatë drejtimit të automjetit.

“Instruktorja në fjalë ka qenë e evidentuar edhe më parë për kundërvajtje të përdorimit të telefonit, duke vepruar për herë të dytë në kundërshtim me ligjin e trafikut rrugor”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia e Ferizajt ka apeluar tek të gjitha auto–shkollat dhe instruktorët që të respektojnë me përpikëri rregullat e trafikut, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e jetës dhe e sigurisë së pjesëmarrësve në komunikacion.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 14 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button