Instituti GAP: Shpenzimet e komunave për obligime gjyqësore e përmbarimore u dyfishuan brenda një viti

Instituti GAP ka publikuar raportin e ri “Letërnjoftimi i Komunave 2025”, i cili pasqyron trendet kryesore të zhvillimeve në të gjitha 38 komunat e Kosovës, përfshirë demografinë, arsimin, mirëqenien sociale, administratën, buxhetin, ndërmarrësinë, shërbimet publike dhe transparencën.
Sipas raportit, shpenzimet e komunave si pasojë e obligimeve gjyqësore dhe përmbarimore janë dyfishuar vetëm gjatë një viti, duke krijuar presion shtesë mbi financat komunale.
Gjetjet e GAP-it theksojnë ndryshime të dukshme demografike, ekonomike dhe sociale. Rënia e popullsisë, migrimi i brendshëm drejt zonave urbane, numri i lartë i ndërtesave të pashfrytëzuara dhe ndryshimet në numrin e nxënësve e stafit arsimor janë disa nga faktorët që po ndikojnë në shpërndarjen e banorëve nëpër komuna.
Edhe pse buxheti i komunave ka shënuar rritje graduale gjatë dekadës së fundit, të hyrat vetanake mbeten të ulëta, ndërsa borxhet e pambledhura vazhdojnë të jenë të larta.
Në fushën e ndërmarrësisë, raporti tregon se komunat e mëdha vazhdojnë të mbeten qendrat kryesore ekonomike, duke gjeneruar pjesën më të madhe të qarkullimit dhe regjistrimit të bizneseve të reja.
Një tjetër gjetje është edhe hendeku gjinor në pozita udhëheqëse brenda komunave, përkundër disa përmirësimeve në transparencën buxhetore dhe rritjes së përgjithshme të punësimit.
“Performanca e komunave në fusha kyçe mbetet e ulët, duke dëshmuar nevojën për politika më gjithëpërfshirëse dhe planifikim më të qëndrueshëm lokal”, thuhet në raport.
Ky publikim është pjesë e serisë së raporteve vjetore të GAP-it, të cilat nga viti 2009 ofrojnë të dhëna krahasuese ndër vite dhe ndërmjet fushave të ndryshme të qeverisjes lokale.