Lajme

Institucionet publike në shërbim të fushatës: Ministria e infrastrukturës shpërndan poster elektoral në rrjete sociale

Të enjten në mëngjes, në orën 09:56, ministrja e Infrastrukturës dhe drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Belinda Balluku, publikoi në faqen e saj në Facebook një poster me premtime elektorale. Në imazh, me sfond vjollcë dhe foto të makinerive në punë, shkruhej me gërma të mëdha: “Brenda mandatit të katërt. Bypassi i Elbasanit. Bypassi i Sarandës”, bashkë me sloganin “Shqipëria 2030” dhe hashtagun “#PartiaSocialiste”.

Vetëm dy minuta më vonë, i njëjti postim u shpërnda nga faqja zyrtare e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës (MIE). Në orët në vijim, dhjetëra faqe zyrtare të institucioneve në varësi të MIE, si Autoriteti Rrugor Shqiptar, Task Forca e Transportit Rrugor, Agjencia Shtetërore për Shpronësim dhe kompania publike Albgaz, publikuan të njëjtin përmbajtje. Postimi u pëlqye gjithashtu nga institucione si Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Spitali Memorial Fier.

Ekspertët e shoqërisë civile e konsiderojnë këtë një shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor dhe të rregullores së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e cila ndalon përdorimin e burimeve publike për qëllime elektorale. Dhimitër Zguro nga organizata “Qëndresa Qytetare” e cilësoi këtë praktikë si tregues të fenomenit të “partisë-shtet”.

“Shtimi i dukshmërisë së titullarëve të institucioneve në rrjete sociale dhe krijimi i perceptimit të identifikimit të shtetit me partinë, janë qëllime të qarta politike,” tha Zguro, duke theksuar se mungesa e sanksioneve efektive nga KQZ e ka bërë këtë fenomen të përsëritet pa pasoja.

Në një reagim për BIRN, një përfaqësuese e Albgaz pranoi se postimi ishte bërë “gabimisht” dhe u fshi menjëherë pas komunikimit. Edhe këshilltari për median i ministres Balluku, Florion Serjani, pranoi se kishte pasur gabim, por këmbënguli se postimet e tjera të shpërndara nga institucionet janë pjesë e punës informuese të përditshme.

“Institucionet nuk e kanë me detyrim të shpërndajnë, por ndonjëherë ndihmojnë për të mbajtur aktive faqet. Kjo është bërë për vite me radhë,” u shpreh Serjani, duke mohuar që këto përmbajtje të jenë pjesë e një fushate elektorale.

Megjithatë, gjatë periudhës zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, postimet e ministres janë shpërndarë gjerësisht nga institucionet vartëse, një praktikë që për Zguron bie ndesh me parimet e barazisë në garë dhe ndalimin e përdorimit të mjeteve shtetërore për interesa partiake.

Rrjetet sociale janë shndërruar në një mjet kyç të propagandës politike, ku partia në pushtet, sipas vëzhgimeve të BIRN, përfiton nga burimet e administratës për të përhapur mesazhe elektorale nën maskën e komunikimit institucional. Deri në momentin e publikimit, KQZ nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi rastin.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button