Kosova

Institucionet e Kosovës nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtjen e të dhënave personale në komunikimin publik

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional, me qëllim të forcimit të mbrojtjes së të dhënave personale në kontekstin e komunikimit publik.

Sipas njoftimit të AIP, marrëveshja parasheh angazhimin e përbashkët të institucioneve për të parandaluar publikimet e paautorizuara të të dhënave personale në media dhe në publik, duke ndërmarrë njëkohësisht hapa për përforcimin e rregulloreve dhe akteve nënligjore përkatëse.

“Marrëveshja ka për qëllim të adresojë shqetësimet për shpërndarjen apo publikimin e të dhënave personale në media dhe palë të treta, përveç në rastet kur një veprim i tillë është i bazuar në dispozitë të qartë ligjore apo autorizim të posaçëm nga organi kompetent gjyqësor”, thuhet në komunikatë.

Në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, do të themelohet një Grup Koordinues i përbashkët ndërinstitucional, i cili do të ketë mandat të monitorojë zbatimin e marrëveshjes dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, një fokus i veçantë do t’u kushtohet trajnimeve për zyrtarët institucionalë dhe përfaqësuesit e mediave, në mënyrë që të rriten kapacitetet profesionale për trajtimin e ndjeshëm dhe të ligjshëm të informacionit personal.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button