InSight zbulon bërthamë të ngurtë në Mars, sfidohen teoritë ekzistuese shkencore

Anija kozmike InSight e NASA-s ka zbuluar një masë të ngurtë me diametër rreth 600 kilometra në brendësi të planetit Mars – një gjetje që bie ndesh me njohuritë e deritanishme për një bërthamë plotësisht të lëngshme.
Sipas studimit të publikuar nga ScienceAlert, ekipi i udhëhequr nga sizmologu Huixing Bi nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë i Kinës, e ka cilësuar këtë si një fenomen të pazakontë, pasi deri më tani besohej se prania e elementëve të lehtë si squfuri, oksigjeni dhe karboni e pengonte ngurtësimin e bërthamës për shkak të temperaturës së lartë.
Nga viti 2018 deri në vitin 2022, sonda InSight regjistroi përmes një sizmometri të ndjeshëm valët sizmike të shkaktuara nga tërmetet dhe ndikimet e meteoritëve. Analiza e tyre ka krijuar hartën më të detajuar të brendësisë së Marsit, duke zbuluar se planeti ka një kore të fortë, mantel të shkrirë dhe bërthamë të dendur, të ngjashme me Tokën.
Megjithatë, dallimi kryesor qëndron tek fusha magnetike: ndryshe nga Toka, Marsi nuk ka një fushë magnetike globale. Studiuesit theksojnë se vetëm pjesë të kores së tij janë të magnetizuara, çka dëshmon se planeti ka pasur dikur një fushë magnetike aktive, e gjeneruar nga një dinamo e brendshme.
“Se si mund të ekzistojë një bërthamë e fortë, pavarësisht temperaturës së lartë dhe përbërjes së pasur me elementë të lehtë, mbetet ende një mister,” thonë shkencëtarët.
Hulumtimet e ardhshme pritet të japin përgjigje mbi mënyrën se si Marsi humbi fushën e tij magnetike dhe çfarë nënkupton ky zbulim për evolucionin e planetëve shkëmborë, të cilët mbeten kandidatët kryesorë për zhvillimin e jetës.