Incident në Spathar të Librazhdit, ndërpritet përkohësisht votimi pas dyshimeve për shkelje të fshehtësisë së votës

Qendra e votimit në fshatin Spathar të Librazhdit është bllokuar përkohësisht pas një incidenti të raportuar nga përfaqësuesit e opozitës. Sipas tyre, disa votues janë kapur duke fotografuar fletën e votimit pasi e kishin hedhur në kuti, një veprim i ndaluar me ligj dhe që cenon fshehtësinë e votës.
Përfaqësuesit opozitarë kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të komisionerëve dhe forcave të rendit për të verifikuar situatën dhe për të parandaluar çdo veprim që mund të konsiderohet presion ndaj votuesve apo blerje votash.
Për pasojë, procesi i votimit është ndërprerë për disa minuta, ndërsa palët kanë diskutuar mbi hapat që duhej të ndërmerreshin për të garantuar një proces të rregullt. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me rastin.