Lajme

Incident në Maqellarë: Kandidati i PS godet fizikisht mbështetësin e një kandidati rival

Një përplasje fizike mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste është regjistruar paraditen e sotme në qendrën e votimit nr. 1122, e vendosur në Njësinë Administrative Maqellarë, në Dibër.

Sipas burimeve nga vendngjarja, incidenti ka nisur si një debat verbal dhe më pas ka degjeneruar në dhunë fizike. Mësohet se kandidati i Partisë Socialiste, Danjel Gjura, ka goditur me grusht Florian Lazrin, punonjës i Ujësjellësit dhe mbështetës i kandidatit rival Agron Malaj. Sherri dyshohet të jetë shkaktuar nga mosmarrëveshje në lidhje me veprimtari të karakterit elektoral dhe ndikimin mbi votuesit.

Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të qendrës së votimit, në prani të qytetarëve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor. Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka marrë deklaratat e palëve të përfshira dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Partia Socialiste nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për rastin.

Burime jozyrtare sugjerojnë se konflikti mund të jetë pasojë e tensioneve të brendshme brenda strukturave lokale të PS-së, të lidhura me menaxhimin e listave të mbështetësve dhe përpjekjet për të ndikuar elektoratin.

Ngjarja ndodh në një klimë të tensionuar politike në qarkun e Dibrës, ku rivaliteti mes forcave politike është intensifikuar ndjeshëm në ditët e fundit, duke shtuar edhe raportimet për presione ndaj votuesve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button