Incident në KZAZ nr. 30 në Yrshek: Vëzhguesi i Ornaldo Rakipit godet me grusht kryetarin e komisionit

Një incident i rëndë është shënuar këtë të enjte në ambientet e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) nr. 30 në Yrshek, Tiranë. Sipas burimeve nga vendngjarja, një prej vëzhguesve të kandidatit Ornaldo Rakipi ka goditur me grusht kryetarin e KZAZ-së, duke shkaktuar kaos dhe tension në mjediset ku po zhvillohej procesi përgatitor për zgjedhjet.
Ngjarja ka ndodhur në prani të komisionerëve dhe vëzhguesve të tjerë, të cilët janë bërë dëshmitarë të përshkallëzimit të situatës brenda një kohe të shkurtër. Përplasja fizike solli ndërprerjen e menjëhershme të punës dhe ka krijuar një klimë tensioni në prag të zgjedhjeve.
Autoritetet përkatëse pritet të reagojnë mbi këtë incident, ndërsa ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga kandidati Ornaldo Rakipi apo nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.