Incident gjatë numërimit të votave në Kashar, përplasje fizike dhe pezullim i procesit

Një incident i tensionuar ka ndodhur gjatë procesit të numërimit të votave në njësinë administrative Kashar, duke detyruar autoritetet të pezullojnë përkohësisht punën. Shkak i konfliktit, sipas kandidatit të Partisë Demokratike për deputet, Grigels Muçollari, është bërë një votë e pavlefshme që ka shkaktuar debat mes përfaqësuesve të forcave politike në qendrën e numërimit.
Muçollari ka deklaruar për mediat se përplasja ka nisur për votat preferenciale të maxhorancës dhe ka degjeneruar në dhunë fizike ndaj sekretarit të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), të cilin ai e identifikoi si përfaqësues të Partisë Demokratike.
“Kanë qenë persona të caktuar që kanë goditur sekretarin e KZAZ-së, që është i PD. Nuk e di nëse agresori apo agresorët janë mbështetës të Ornaldo Rakipit, por ishin përfaqësues të maxhorancës,” – u shpreh Muçollari.
Sipas tij, deri më tani nuk është arrestuar asnjë person në lidhje me incidentin, ndërsa ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga ana e policisë për të garantuar sigurinë e komisionerëve dhe vijimin e qetë të procesit zgjedhor.
“Po i kërkojmë policisë që të marrë masa. Mesa di unë, nuk është arrestuar asnjë njeri,” – përfundoi kandidati demokrat.