Lajme

Ina Majko, përfaqësuesja e parë e komunitetit rom në kabinetin qeveritar të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot përbërjen e re të kabinetit të tij pas fitores në zgjedhjet e fundit, ku njoftoi se Ina Majko është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky emërim shënon një moment historik, pasi Ina Majko bëhet përfaqësuesja e parë e komunitetit rom në një nivel të tillë qeveritar në Shqipëri.

Rama tha se Ina Majko është një prurje e rëndësishme në “skuadrën e 11 majit”, një grup që përfaqëson diversitetin e komuniteteve dhe grupeve të ndryshme në qeverinë e re me synim drejt integrimit europian dhe zhvillimit të Shqipërisë deri në vitin 2030.

“Historia e Ina Majkos është historia e një vajze të rritur mes paragjykimeve dhe vështirësive ekonomike, e cila me talent, energji dhe vendosmëri arriti të përfundonte studimet jashtë vendit me rezultate të larta, të flasë pesë gjuhë të huaja dhe të bëhet një zë i fuqishëm i komunitetit të saj në platformat sociale,” tha Rama.

Si zëvendësministre, Ina Majko do të përqendrohet në çështjet e mbrojtjes sociale, duke mbështetur familjet dhe fëmijët në nevojë. Kryeministri u shpreh optimist se ajo do të jetë një vlerë e shtuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button