Ilir Meta reagim pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut: Një mik i madh i Shqipërisë dhe simbol i paqes

Pas lajmit të trishtë për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, nuk ka munguar edhe reagimi i kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e Atit të Shenjtë, duke e cilësuar atë si një figurë të shquar të paqes, dashurisë dhe humanizmit.
“Thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku, i cili do të kujtohet përherë me mirënjohje për udhëheqjen vizionare të Kishës Katolike dhe të njerëzimit në rrugën e paqes, solidaritetit dhe bashkëpunimit”, shkruan Meta.
Ai theksoi se mbështetja e Papa Françeskut për Shqipërinë në momente të vështira, si dhe mesazhet e tij frymëzuese për popullin shqiptar, do të mbeten të paharruara. Meta kujtoi veçanërisht fjalët e Papës gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri: “Shqiponjat nuk e harrojnë folenë, por fluturojnë lart… Shqipëria të shpëtojë nga dimri demografik”.
Në fund të reagimit, Meta shprehu ngushëllimet më të sinqerta për Selinë e Shenjtë dhe gjithë besimtarët katolikë, duke uruar që Papa Françesku të prehet në paqe të merituar.