Lajme

Ilir Meta: Pas 11 majit, sporti do të transformohet madhështisht – Sporti, shpëtimi më i madh për të rinjtë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka theksuar se sporti mbetet shpëtimi më i madh për të rinjtë shqiptarë në këto momente kritike, kur, sipas tij, “Narkoqeveria” ka dëmtuar rëndë jetën e tyre me drogë dhe veset e këqija.
Në një deklaratë publike, Meta akuzoi qeverinë aktuale për përçmimin dhe injorimin e sportit, duke nënvizuar se mijëra të rinj, veçanërisht nga familjet e thjeshta, nuk kanë mundësi të ushtrojnë sportin për shkak të mungesës së terreneve sportive dhe mbështetjes financiare.

Duke rikujtuar kontributin e tij të mëparshëm si Kryeministër për mbështetjen e sportit, Meta premtoi se, pas fitores plebishitare të 11 majit, sporti në Shqipëri do të përjetojë një transformim madhështor. Ai garantoi se do të jetë mbështetësi dhe promovuesi më i fortë i sportit në qeverisjen e ardhshme të opozitës.

“Si ish-sportist dhe ish-Kryeministër, gjithmonë kam bërë gjithçka për të ndihmuar sportin, edhe në kohë të vështira dhe me buxhete të kufizuara. Me fitoren plebishitare të 11 majit, sporti do të marrë vëmendjen që meriton”, u shpreh Meta.

Në fund të deklaratës së tij, Meta u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin Koalicionin “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe kandidaturën e tij në Qarkun Tiranë, duke theksuar se “fjalën e dhënë e mbaj gjithmonë”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button