Ilir Meta mbështet Dashamir Xhikën si kandidat për deputet në Elbasan

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shpallur mbështetjen e tij për Dashamir Xhikën si kandidat për deputet në qarkun e Elbasanit, në kuadër të koalicionit opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Në një deklaratë për mediat, Meta e cilësoi Xhikën si një nga themeluesit e Partisë së Lirisë dhe një figurë me përvojë të gjatë në shërbim të komunitetit. “Me arsimim cilësor brenda dhe jashtë vendit, si dhe me një angazhim të pandërprerë për zhvillimin e Elbasanit, Dashamiri është njeriu i duhur për të përfaqësuar qytetarët me dinjitet në Kuvend,” u shpreh Meta.
Sipas tij, Elbasani është një qark me histori dhe potencial të madh, dhe ka nevojë për përfaqësues të vendosur dhe me vizion. Meta theksoi se Xhika është i përkushtuar për të sjellë ndryshime konkrete dhe përmirësim të jetesës për qytetarët e këtij qarku.
“Dashamir Xhika do të përfaqësojë me qetësi, urtësi dhe përkushtim vlerat më të mira të komunitetit elbasanas,” tha Meta, duke i uruar atij suksese në këtë garë elektorale.
Dashamir Xhika do të garojë me numrin 1 në listën e koalicionit “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun Elbasan.