
E ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krasta, Ilda Zhulali, kandidatja e PD në qarkun e Tiranës, theksoi vendosmërinë e Partisë Demokratike për të sjellë një model të ri qeverisjeje, të bazuar në përfaqësimin real të qytetarëve.
‘Me mbështetjen e strategut amerikan, La Civita dhe frymëzuar nga modeli i suksesshëm i fushatës Trump, PD hyn në garën elektorale me një plan konkret dhe një ekip profesionistësh të përkushtuar.‘- u shpreh ajo.
Zhulali theksoi se për PD-në prioritet mbeten ulja e kostos së jetesës, rimëkëmbja e bujqësisë dhe lehtësirat për bizneset. Programi ekonomik i opozitës vjen me masa që synojnë të sjellin ndryshim të prekshëm brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
Ajo cilësoi se qeverisja e vogël, pa patronazhistë, me fokus te qytetari dhe ekonomia prodhuese, është zotimi i PD-së për shqiptarët.
Ilda Zhulali:
LaCivita është një strateg i njohur elektoral dhe një figurë me peshë në politikën amerikane. Ai ka ndërtuar një lidhje të fortë ndërmjet Partisë Demokratike dhe administratës së ish-presidentit Trump, duke kontribuar në hartimin e strategjisë së fushatës së PD-së. Megjithatë, në thelb të kësaj fushate është programi ynë: i qartë, i zbatueshëm dhe i ndërtuar mbi nevojat reale të qytetarëve.
PD hyn në këtë fushatë me një plan konkret dhe një ekip profesionistësh që përfaqësojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë. Janë njerëz të përgatitur, që flasin për të ardhmen dhe që janë të përkushtuar për të sjellë ndryshimin. Civita na ndihmon që ky plan të komunikojë thjeshtë dhe qartë me çdo qytetar, njësoj si modeli i Trump që u përkthye në 10 pika të thjeshta e të kuptueshme nga të gjithë dhe këtë po bëjmë edhe ne.
Programi ynë përfshin pika thelbësore që do t’i përsërisim çdo ditë mëngjes, drekë e darkë që të dëgjohen nga çdo qytetar. Kemi hartuar paketën e dhembshurisë, e cila përfshin: vendosjen e një minimumi jetik prej 200 euro në muaj për çdo qytetar në nevojë; rritjen e pensionit minimal në 200 euro; uljen e TVSH-së nga 20% në 15%; si dhe uljen e çmimit të energjisë, ujit dhe karburantit. Këto masa do të sjellin automatikisht uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe do të bëjnë faturat më të përballueshme për çdo familje.
Për bizneset kemi parashikuar: taksë 0% për biznesin e vogël; taksë të sheshtë 10% për bizneset e tjera; si dhe 0% taksë për profesionet e lira. Një tjetër prioritet i yni është bujqësia dhe produktet “Made in Albania”. Aktualisht, rreth 34% e popullsisë aktive në Shqipëri është e angazhuar në bujqësi (sipas të dhënave të INSTAT), ndaj ky sektor është thelbësor për zhvillimin e vendit.
Ne synojmë që produktet që konsumojmë të jenë vendase, të prodhuara në fermat shqiptare, dhe jo të importuara. Për këtë, do të ofrojmë subvencione të drejtpërdrejta dhe kredi deri në 80% të investimit për bujqësinë.
Kjo është mënyra për të ringjallur ekonominë prodhuese dhe për të siguruar që fondet IPARD të përdoren me përgjegjësi dhe jo të vidhen rrugës, siç ka ndodhur deri tani.
Premtimet tona nuk janë të shkëputura nga realiteti janë të realizueshme brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Ulja e taksave është plotësisht e mundshme, për sa kohë fondet publike nuk shpërdorohen në projekte korruptive si inceneratorët apo koncesionet fantazëm.
Qeveria e PD është e vendosur, e qartë dhe me plan konkret për të qeverisur ndryshe. Do të kemi një qeverisje të vogël dhe efikase jo një administratë të fryrë nga patronazhistë që paguhen për të mos punuar. Punonjësit e ndershëm dhe profesionistë do të qëndrojnë. Ata që janë pjesë e sistemit të abuzimit dhe shpërdorimit të parasë publike, do të largohen.