Kosova

IKD: Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit u zhvillua në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas zgjedhjes së Dimal Bashës si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke e vlerësuar këtë hap si të rëndësishëm drejt zhbllokimit institucional, por njëkohësisht ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si u zhvillua procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë.

IKD thotë se ka monitoruar seancën konstituive të 26 gushtit dhe ka konstatuar se procedura e ndjekur nga kryetari Basha ishte në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën parlamentare të deritanishme.

“Shkelja e Kushtetutës, Rregullores, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës parlamentare në lidhje me nënkryetarët nga radhët e komuniteteve paraqet një skenar të ri bllokues drejt konstituimit të Kuvendit”, thuhet në reagim.

Sipas IKD-së, procedura për zgjedhjen e nënkryetarëve është e qartë: kandidatët duhet të propozohen me shkrim nga shumica e deputetëve të komuniteteve përkatëse dhe votimi duhet të bëhet në pako. Ky standard, sipas institutit, nuk është respektuar në rastin e deputetes Emilija Redžepi, e cila u zgjodh nënkryetare pa respektuar formën e propozimit me shkrim dhe pa transparencë.

Po ashtu, IKD thekson se procesi i votimit u nda në mënyrë të kundërligjshme, duke shkelur Kushtetutën dhe duke mohuar të drejtën e komunitetit serb për përfaqësim në Kryesi. Për më tepër, propozimi i deputetit Nenad Rasiq si nënkryetar nuk është bërë nga shumica e deputetëve serbë, gjë që e bën atë të pavlefshëm.

IKD ka kritikuar edhe nisjen e shortit nga kryetari i Kuvendit, duke theksuar se kjo procedurë zbatohet vetëm kur nuk ka propozime, ndërkohë që në këtë rast kishte kandidatura konkrete, por pa votat e nevojshme.

“Përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë në organet drejtuese të Kuvendit nuk është privilegj, por garanci kushtetuese për integrimin e tyre në procesin demokratik dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Imponimi i vullnetit të shumicës mbi emrin e përfaqësuesit të pakicave është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës”, thekson IKD.

Në fund, Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkon nga kryetari i ri i Kuvendit që në seancën e 28 gushtit të përsëritet procedura e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë dhe ajo të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që procesi i konstituimit të Kuvendit të mos cenohet.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button