Kosova
Kryesore

IKD: Shkelje kushtetuese në procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit

Më 26 gusht, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Dimal Bashën nga Lëvizja Vetëvendosje si Kryetar të Kuvendit, me shumicën e votave të deputetëve. Në të njëjtën seancë u zgjodhën edhe tre nënkryetarët nga radhët e grupeve më të mëdha parlamentare, si dhe deputetja Emilja Rexhepi si nënkryetare nga komunitetet jo-shumicë.

Megjithatë, procesi nuk është përmbyllur sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, pozitë e garantuar me Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ngritur shqetësime serioze, duke e cilësuar procesin si shkelje të Kushtetutës dhe rregullave parlamentare. Melos Kolshi, hulumtues në IKD, tha për “Front Online” se procedura e zhvilluar nga Kryetari i Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën parlamentare.

“Shkelja e Kushtetutës, Rregullores, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës parlamentare në lidhje me nënkryetarët nga radhët e komuniteteve paraqet një skenar të ri bllokues drejt konstituimit të Kuvendit”, u shpreh Kolshi.

Ai veçoi si problematikë kandidaturën e Nenad Rashiq për nënkryetar nga komuniteti serb, duke theksuar se është bërë në kundërshtim me rregullat, ashtu si edhe propozimi i Emilja Rexhepit, i cili sipas tij nuk u bë në formën me shkrim, siç kërkon rregullorja.

Sipas IKD-së, edhe procesi i votimit ka qenë i parregullt, pasi Kushtetuta dhe Rregullorja përcaktojnë që nënkryetarët nga komunitetet duhet të votohen në një proces unik, dhe jo të ndarë, një praktikë e cila është respektuar edhe në vitin 2021.

Kolshi shtoi se përfshirja e marrëveshjeve politike në këtë proces e bën situatën edhe më problematike, duke e konsideruar se Kuvendi është futur në një skenar të ri bllokues.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button