IKD kritikon Qeverinë: Ligjet po miratohen në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa konsultime publike

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Florian Smajli, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për miratimin e ligjeve në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa përfshirjen e publikut në procesin e hartimit të tyre.
Sipas Smajlit, qeveria ka injoruar në vazhdimësi rekomandimet e shoqërisë civile dhe të partnerëve ndërkombëtarë, duke e përjashtuar dialogun e domosdoshëm demokratik në politikëbërje.
“Në vazhdimësi kemi tërhequr vërejtjen se Qeveria, përgjatë këtyre viteve, ka miratuar ligje në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa konsultime të mjaftueshme publike. Si asnjëherë më parë, qeveria dhe ministritë e linjës kanë injoruar rekomandimet dhe sugjerimet e shoqërisë civile, si dhe ekspertizën e partnerëve ndërkombëtarë”, deklaroi ai për Gazeta Blic.
Ai ka theksuar se kjo qasje po reflektohet tashmë edhe në vendimet e institucioneve të drejtësisë.
“Një qasje e tillë ka ndikuar që shumë ligje dhe politika të konstatohen nga instancat gjyqësore dhe Gjykata Kushtetuese si kundërkushtetuese apo joligjore”, shtoi Smajli.
Një prej rasteve më të fundit që ai përmendi është vendimi i Gjykatës Supreme për shfuqizimin e një udhëzimi administrativ për fiskalizim, të cilin e cilësoi të paligjshëm për shkak të pozitës së papajtueshme të ministrit që e kishte nënshkruar atë.
“Gjykata Supreme ka vlerësuar se Udhëzimi Administrativ është i paligjshëm, sepse Ministri i Financave nuk ka pasur mandat të vlefshëm në atë kohë. Ai ka qenë i certifikuar si deputet, në shkelje të Kushtetutës, e cila ndalon ushtrimin paralel të funksioneve ekzekutive dhe legjislative”, theksoi ai.
Në përfundim, Smajli vlerësoi se rastet e tilla janë dëshmi e qartë e mungesës së respektimit të shtetit të së drejtës.
“Ndonëse arsyetimet për rrëzimin e ligjeve janë të ndryshme, të gjitha tregojnë mospërfillje të procedurave ligjore dhe mungesë vullneti apo interesi që ato akte të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, përfundoi ai.