Kosova

IKD: Konstituimi i Kuvendit, obligim kushtetues për të kthyer stabilitetin institucional

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj bllokadës në Kuvendin e Kosovës, duke u bërë thirrje deputetëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të konstituojnë Kuvendin pa vonesa të mëtejshme.

Në reagim theksohet se pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka sqaruar qartë procedurat për konstituimin, çdo vonesë e mëtejshme e thellon krizën institucionale dhe cenon rëndë funksionimin demokratik të shtetit.

“Konstituimi i Kuvendit është parakusht themelor për funksionimin e institucioneve kushtetuese. Pa Kuvend funksional, vendi po qeveriset nga një Qeveri në detyrë, ndaj të cilës mungon kontrolli parlamentar,” thuhet në reagim.

IKD paralajmëron se mungesa e Kuvendit ka lënë shumë institucione të paralizuara ose në prag të jofunksionalitetit, përfshirë Avokatin e Popullit, Autoritetin e Konkurrencës, Komisionin e Pavarur për Media, Gjykatën Kushtetuese dhe Fondin e Kursimeve Pensionale. Po ashtu, janë bllokuar edhe marrëveshje ndërkombëtare me vlerë qindra miliona euro, mes tyre Plani i Rritjes 2024-2027 prej 882 milionë euro, si dhe projektet me Bankën Botërore, Gjermaninë dhe Francën.

Në këtë situatë, IKD nënvizon se edhe vetë funksionimi i Qeverisë është problematik, pasi disa ministra dhe deputetë po ushtrojnë njëkohësisht të dy funksionet, duke shkelur Kushtetutën – gjë e konstatuar edhe nga Gjykata Supreme.

Sipas IKD-së, përgjegjësia për konstituimin bie mbi të gjitha partitë politike, por barra kryesore mbetet te Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve. Kjo parti, sipas institutit, ka dy opsione: të propozojë një kandidat të pranueshëm për kryetar Kuvendi ose të arrijë një marrëveshje politike me një subjekt tjetër.

IKD i bën thirrje gjithashtu Kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që të mos ndërpresë seancën deri në konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se vetëm një proces i përgjegjshëm dhe dinamik mund të rikthejë funksionalitetin demokratik të institucioneve.

“Çdo vonesë e qëllimshme është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e dëmton rëndë stabilitetin dhe legjitimitetin e institucioneve të Kosovës,” përfundon reagimi i IKD-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button