IKD kërkon rikthimin e Ministrisë së Punës si institucion i pavarur: Qeveria po e margjinalizon fushën sociale

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka bërë thirrje për rikthimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) si një institucion i pavarur dhe i specializuar, duke e cilësuar vendimin për bashkimin e saj me Ministrinë e Financave si dëm të madh për politikat sociale në vend.
Në një takim të organizuar nga IKD, ku u prezantua raporti: “Ndikimi i bashkimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave”, Jakaj theksoi se ky ndryshim ka çuar në margjinalizimin e fushës sociale dhe mungesë të theksuar të reformave.
“Sot, 85% e shteteve të Bashkimit Evropian e kanë një ministri të veçantë për punë dhe mirëqenie sociale. Edhe shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor e ruajnë këtë strukturë. Vetëm Kosova dhe pjesërisht Shqipëria e kanë humbur këtë fokus, duke e zhvendosur përgjegjësinë në ministri me portofol financiar”, deklaroi ai.
Jakaj vlerësoi se bashkimi i MPMS-së me Ministrinë e Financave ka ndikuar negativisht në fokusin strategjik dhe në garantimin e të drejtave sociale të qytetarëve. Ai tha se kjo nuk është vetëm një çështje teknike, por një vendim politik me pasoja të mëdha sociale.
IKD ka kërkuar gjithashtu:
Miratimin e ligjeve sociale të paproceduara;
Funksionalizimin e Këshillave për dialog social dhe siguri në punë;
Nënshkrimin e kontratave kolektive për sektorin publik dhe privat;
Shtim të interpelancave dhe seancave në Kuvend për fushën sociale;
Rritje të transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë për politikat sociale.
Takimi u mbajt me mbështetjen e National Endowment for Democracy dhe Rockefeller Brothers Fund, ku u hodh dritë mbi sfidat e reformës qeveritare në sektorin social dhe nevojën për ndryshim të qasjes institucionale.