Kosova
Kryesore

IKD e quan të papranueshëm reagimin e Qeverisë ndaj aktgjykimit të Supremes: Ndërhyrje flagrante në drejtësi

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Qeverisë në detyrë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili shpalli të paligjshëm Udhëzimin Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për pajisjet fiskale, duke e konsideruar këtë reagim si ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.

Sipas IKD-së, kundërshtimi publik i një vendimi të instancës më të lartë gjyqësore nga ana e pushtetit ekzekutiv përbën shkelje flagrante të parimit të ndarjes së pushteteve dhe dëmton rëndë rendin kushtetues në vend.

“Kundërshtimi publik i një aktgjykimi të instancës më të lartë të gjykatave të rregullta nga pushteti ekzekutiv jo vetëm që përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, por është shkelje flagrante e parimit të ndarjes së pushteteve, që është themeli i rendit kushtetues në një shtet demokratik, duke cenuar po ashtu integritetin e gjyqësorit dhe duke nxitur mosbesim institucional”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Instituti ka kritikuar ashpër edhe ministrin Hekuran Murati, i cili ka përmendur me emër dhe mbiemër gjyqtarët e Gjykatës Supreme, duke e konsideruar këtë veprim si rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre.

“Kjo qasje përveç që cenon integritetin e sistemit gjyqësor, përbën rrezik edhe për sigurinë individuale të gjyqtarëve të përmendur”, thekson IKD.

Sipas institutit, veprime të tilla nga ana e qeverisë dhe anëtarëve të saj përbëjnë presion të panevojshëm ndaj gjyqësorit dhe rrezikojnë ndërtimin e një sistemi të drejtë dhe të pavarur.

IKD ka theksuar se aktgjykimi i Gjykatës Supreme është një precedent i rëndësishëm që ndalon ndërhyrjet politike në vendimmarrjen administrative dhe vendos standarde të reja në respektimin e ndarjes së pushteteve.

Instituti përmend se vendimi i Supremes është i drejtë, pasi ka konstatuar se një udhëzim administrativ i nxjerrë nga një zyrtar që ushtron njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit është i kundërligjshëm dhe në papajtueshmëri me Kushtetutën.

Në fund, IKD u bën thirrje të gjithë zyrtarëve institucionalë që të respektojnë vendimet gjyqësore dhe të shmangin deklaratat që synojnë të ulin autoritetin e gjykatave.

“Vetëm përmes një gjyqësori të pavarur dhe funksional mund të garantohet siguria juridike dhe sundimi i ligjit”, përfundon reagimi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button