Kosova

IKD akuzon Qeverinë në detyrë për vendime të kundërligjshme dhe ndikim elektoral pesë ditë para zgjedhjeve

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të marra më 7 tetor nga Qeveria në detyrë, vetëm pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Sipas IKD-së, vendimet që përfshijnë ndarje fondesh publike në vlerë mbi 30 milionë euro janë të kundërligjshme dhe me prapavijë elektorale.

Në mesin e këtyre vendimeve përfshihet shtimi i një mase të re në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Bursa e Mobilitetit për Studentë me vlerë 20 milionë euro, ndarja e 6 milionë eurove për pagesën njëherëshe prej 100 eurosh për studentët, si dhe 1 milion euro për kuponë ushqimi për familjet në nevojë. Po ashtu, qeveria ka miratuar shpronësime për projektin e kyçjes së Vitisë në Autostradën “Arbër Xhaferi”, me vlerë rreth 3 milionë euro, dhe Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike.

Sipas IKD-së, këto veprime tejkalojnë kompetencat e një qeverie në detyrë dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë. Instituti thekson se pjesëmarrja e deputetëve në vendimmarrje, duke qenë njëkohësisht ministra, është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, e cila ka përcaktuar se një person nuk mund të ushtrojë paralelisht dy pozita – deputet dhe anëtar i qeverisë.

“Duke vepruar si persona zyrtarë dhe duke shfrytëzuar kundërligjshëm detyrën e tyre, deputeti Kurti dhe disa nga deputetët e tjerë të Kuvendit, në cilësinë e kryeministrit dhe ministrave në detyrë, kanë miratuar vendime duke tejkaluar autorizimet e tyre kushtetuese dhe ligjore. Çdo vendim i tillë është i kundërligjshëm”, thuhet në reagimin e IKD-së.

IKD ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që të hetojë dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe fondeve publike për përfitime politike në prag të zgjedhjeve.

Instituti kujton se Ligji për Qeverinë përcakton qartë se qeveria në dorëheqje mund të kryejë vetëm aktivitete të domosdoshme dhe të planifikuara në Planin Vjetor të Punës dhe në ligjin vjetor për buxhetin, ndërsa vendimet e marra më 7 tetor nuk përfshihen në asnjërën prej tyre.

IKD paralajmëron se koha e miratimit të këtyre vendimeve, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve, ngrit dyshime serioze për qëllime elektorale dhe favorizim politik të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kandidatëve të saj në garën lokale.

Sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

IKD thekson se vendimmarrja e qeverisë në detyrë, në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe ligjet në fuqi, përmbush të gjitha elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndaj kërkon që përgjegjësia të adresohet menjëherë nga organet kompetente.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button