Lajme

I armatosur me pistoletë në çantë, kapet në flagrancë në Astir – në pranga 37-vjeçari nga Lezha

Një 37-vjeçar është arrestuar në zonën e Astirit në Tiranë, pasi u kap në flagrancë nga policia, i armatosur me një pistoletë me fishek në fole.

Operacioni policor i koduar “Trigger” u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilat kishin marrë informacion në rrugë operative se një person po lëvizte i armatosur në rrugët e zonës. Pas ndjekjes dhe kontrollit, u arrestua shtetasi D. S., 37 vjeç, banues në Lezhë, i dënuar më parë për vjedhje.

Gjatë kontrollit, në çantën që mbante me vete, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë, me fishek të gatshëm për qitje. Armëmbajtja pa leje çoi menjëherë në prangosjen e tij.

Pistoleta u sekuestrua si provë materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button