Kosova

Hykmete Bajrami: Ngërçi politik është vetëgrushtshtet, Vetëvendosje refuzon kompromisin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike në vend, duke e cilësuar ngërçin si një vetëgrushtshtet të orkestruar nga partia në pushtet.

Në një diskutim të organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me temën “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”, Bajrami theksoi se të gjitha partitë opozitare kanë ofruar kompromise për të tejkaluar krizën, por vetëm Vetëvendosje ka refuzuar kategorikisht.

“Nuk është se kemi çfarë të themi më ndryshe nga ajo që kemi thënë deri më tani. Nuk mendoj që është vetëm grushtshtet, por është vetëgrushtshtet. Partia në pushtet po dëshiron të jetë vetë në detyrë nga rezultatet që i ka marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit,” u shpreh Bajrami.

Ajo kritikoi ashpër mënyrën e qeverisjes gjatë këtij mandati katërvjeçar, duke theksuar se asnjë amendament nga opozita nuk është pranuar, duke vënë në pikëpyetje funksionimin demokratik të Kuvendit.

“Në legjislaturën e fundit nuk ka ndodhur që të pranohet as edhe një amendament nga partitë në opozitë. Ku është demokracia këtu?”, pyeti ajo.

Sipas saj, ngërçi ka arritur kulmin me insistimin e Vetëvendosjes për të mos lëshuar asnjë hap në drejtim të konsensusit, duke përmendur rastin e ministres Albulena Haxhiu si shembull të mungesës së gatishmërisë për kompromis.

“Ata insistojnë që Albulena Haxhiu është më e rëndësishme se çdo gjë”, përfundoi Bajrami.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ndodhet në një bllokadë funksionale, ndërsa tensionet mes pushtetit dhe opozitës janë intensifikuar ndjeshëm.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button