Kosova

Human Rights Watch kritikon marrëveshjet e mundshme të Kosovës për pranimin e azilkërkuesve dhe të dënuarve nga vendet evropiane

Organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch” (HRW) ka shprehur shqetësim të thellë për përpjekjet e disa vendeve të Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar për t’i kthyer shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, në “qendra të kthimit” për azilkërkuesit dhe të dënuarit.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, Drejtoresha e Asociuar e HRW për Evropë dhe Azi Qendrore, Judith Sunderland, ka theksuar se përdorimi i njerëzve si mjete për përfitime politike është i papranueshëm dhe përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

“Përdorimi i njerëzve, qoftë të dënuar apo azilkërkues, si mjet për përfitime politike në këtë mënyrë është i pajustifikueshëm dhe do të çojë vetëm në shkelje të të drejtave të njeriut, pa adresuar problemet sistemike,” – ka deklaruar Sunderland.

Ajo shtoi se HRW është “thellësisht e shqetësuar” për diskutimet e vendeve të BE-së rreth krijimit të qendrave të tilla në Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se mënyrat se si këto marrëveshje mund të shkelin të drejtat e njerëzve “janë pothuajse të panumërta”.

Ky reagim vjen pas ofertës së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për Mbretërinë e Bashkuar, që Kosova të pranojë persona me kërkesa të refuzuara për azil në këmbim të mbështetjes britanike në fushën e sigurisë.

“E vlerësojmë këtë si detyrë miqësore dhe politike. Kemi kapacitete të kufizuara, por duam të ndihmojmë… ndërkohë që flasim, ka komunikim të rregullt mes ekipeve tona shtetërore,” – kishte thënë Kurti.

Që nga marrëveshja me Danimarkën, për dhënien me qira të disa qelive të burgjeve për 300 të burgosur, Kosova është parë nga disa vende evropiane si destinacion për marrëveshje të ngjashme. Së fundmi, Belgjika ka shprehur interesim për të shfrytëzuar institucionet korrektuese të Kosovës, gjë që është konfirmuar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Sipas Sunderland, marrëveshjet e tilla mund të sjellin shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut, përfshirë të drejtën për ndihmë ligjore, për jetën familjare e private, si dhe parimin e moskthimit për azilkërkuesit.

“Në rastin e të burgosurve që do të dërgoheshin në Kosovë për të vuajtur dënimin, kjo mund të përbëjë shkelje të së drejtës për ndihmë ligjore dhe për jetën familjare. Ndërsa për azilkërkuesit, mund të ketë ndalime arbitrare dhe kthime të pasigurta në vendet e origjinës,” – ka shtuar ajo.

Në përfundim, zyrtarja e HRW theksoi se këto marrëveshje tregojnë “gatishmëri shqetësuese për të hequr dorë nga përgjegjësia”, duke shtuar se BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar po përpiqen t’i zhvendosin problemet e tyre tek palë të treta, si Kosova.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button