Hoti: Shkeljet Kushtetuese nga Dehari po vazhdojnë – LDK rikthen çështjen në Kushtetuese

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka akuzuar kryesuesin e përkohshëm të Kuvendit, Avni Dehari, për vazhdim të shkeljeve kushtetuese, pavarësisht aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Në një deklaratë për media, Hoti tha se veprimet e Deharit janë të “instruktuara nga partia e tij” dhe paralajmëroi se LDK do ta dërgojë sërish çështjen në Kushtetuese, për shkak të “ndërrimit arbitrar të formës së votimit për Kryetarin e Kuvendit”.
“Ashtu siç kërkohet nga Kushtetuta, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, LDK-ja ka marrë pjesë në votim dhe ka votuar sa herë që grupi më i madh parlamentar e ka nxjerrë në votim kandidaten për Kryetare të Kuvendit”, theksoi ai, duke shtuar se LDK e ka përmbushur obligimin kushtetues.
Sipas Hotit, aktgjykimi i fundit i Kushtetueses sqaron se nuk mund të ndryshohet forma e votimit në mënyrë arbitrare, ndonëse kjo nuk është përfshirë në dispozitivin e vendimit.
“Aktgjykimi e sqaroi këtë në arsyetim, por është e pakuptimtë pse nuk është përfshirë në dispozitiv, kur parashtruesit e kërkesës kishin kërkuar shprehimisht ta gjykonte këtë çështje”, tha ai.
Hoti ngriti shqetësimin se votimi i fshehtë për një kandidat që ka dështuar disa herë në votim të hapur, hap mundësi për “kontrabandim votash”. Ai kritikoi edhe disa vendime të mëhershme të Kushtetueses që, sipas tij, kanë pasur pasoja për rendin demokratik në vend.
“Shumica vendos gjithmonë. Ndryshe nuk funksionon demokracia. Ndryshe mbetemi peng i tekeve të individëve apo partive të papërgjegjshme”, shtoi Hoti.
Në fund, Hoti e akuzoi kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, se po qëndron “në mënyrë jokushtetuese në zyrën e kryeministrit” dhe se nuk po e respekton aktgjykimin e fundit të Kushtetueses.
“Sot, një aktgjykim i Kushtetueses nuk respektohet, vendi mbetet pa institucione tash e katër muaj, me pasoja të mëdha për integrimin euroatlantik dhe me pasoja ekonomike të pamatshme e afatgjata”, përfundoi ai.