Kosova

Hoti paralajmëron pasoja të mëdha pas vendimit të ZRRE-së: “Qeveria e mashtrimit po dëmton bizneset”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për të liberalizuar tregun e energjisë për bizneset, vendim ky që hyn në fuqi nesër. Ai ka paralajmëruar pasoja të rënda për ekonominë dhe klimën e investimeve në vend, duke e cilësuar qasjen e ZRRE-së si “arbitrare” dhe të diktuar nga një qeveri që sipas tij “nuk e ka në interes zhvillimin ekonomik të vendit”.

Sipas Hotit, vendimi ka krijuar një pasiguri të madhe për furnizimin me energji elektrike për sektorin privat, duke i bërë bizneset vendore dhe investitorët ndërkombëtarë të ndihen të pambrojtur e të pavendosur. Ai theksoi se mungesa e konsultimeve me komunitetin e biznesit dhe moskryerja e përgatitjeve të duhura para marrjes së këtij vendimi janë tregues të papërgjegjësisë institucionale.

“Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mungesë e investimeve të reja, rritje e kostove për bizneset vendore dhe rënie e konkurrueshmërisë së produkteve tona në tregun e brendshëm dhe të jashtëm,” ka shkruar Hoti në një postim në Facebook.

Ai shtoi se kjo situatë do të ndikojë edhe në jetën e qytetarëve përmes shtrenjtimit të kostos së jetesës dhe rritjes së papunësisë. “Brenda një kohe të shkurtër do të vërejmë përkeqësim të bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun tonë,” theksoi Hoti.

Deputeti i LDK-së akuzoi ZRRE-në dhe Qeverinë për ndjekjen e një agjende që, sipas tij, nuk është në funksion të interesave të bizneseve kosovare. Ai e përmbylli reagimin e tij duke i cilësuar veprimet e institucioneve si të motivuara politikisht dhe të dëmshme për të ardhmen ekonomike të vendit.

Vendimi i ZRRE-së për hapjen e tregut të lirë të energjisë ka ngjallur reagime të shumta edhe nga komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile, të cilët kërkojnë transparencë dhe planifikim të kujdesshëm para zbatimit të reformave kaq të rëndësishme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button