Kosova

Hisen Berisha me thirrje për Policinë në Veri: “Mos u bëni pjesë e skenarëve politikë”

Ish-deputeti dhe ushtaraku i njohur, Hisen Berisha, ka reaguar me një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, veçanërisht atyre të angazhuar në pjesën veriore të vendit.

Përmes një postimi publik, Berisha ka kërkuar që asnjë pjesëtar i Policisë të mos lejojë që të përdoret për qëllime politike, duke theksuar se uniforma e shtetit duhet të qëndrojë larg skenarëve që mund të destabilizojnë situatën në veri.

“Mos lejoni trazira në veri. Si strukturë që garanton sigurinë dhe rendin publik, mos u bëni pjesë e asnjë skenari që përdoret për të mbuluar dështimet politike,” ka deklaruar ai.

Sipas Berishës, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd ekziston një klimë e tensionuar politike, dhe ka paralajmëruar se liderë të caktuar mund të shfrytëzojnë situatën në veri për të gjeneruar tension të kontrolluar në funksion të interesave të tyre.

Ai e ka cilësuar këtë periudhë si veçanërisht të rrezikshme për përplasjen e logjikave politike, duke shtuar se uniforma e shtetit nuk duhet të kthehet në instrument të politikës ditore.

“Jeni në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit – jo të skenarëve që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe demokracinë,” ka përfunduar Berisha, me një mesazh të qartë dhe të përgjegjshëm.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button