Haxhiu: Ende pa raport nga IML për rastin e Agon Zejnullahut

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut, i cili ndërroi jetë ndërsa ishte i prangosur nga Policia e Kosovës.
Haxhiu bëri të ditur se me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme është kryer autopsia e trupit të të ndjerit, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) nuk ka dorëzuar ende asnjë raport preliminar për këtë rast.
“IML është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të marra gjatë autopsisë, në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt raporti i autopsisë”, deklaroi Haxhiu.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinion publik, ndërsa institucionet janë nën presion për të zbardhur sa më parë rrethanat e plota të rastit.