Hasani kritikon Osmanin për deklaratën rreth Trumpit: “Shfaqje papjekurie politike”

Deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhënë gjatë vizitës së saj në SHBA, ku përmendi rolin e ish-presidentit amerikan Donald Trump në parandalimin e një sulmi të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka quajtur të pavend dhe shfaqje të papjekurisë politike.
Në një intervistë për KosovaPress, Hasani theksoi se pavarësisht marrëdhënieve miqësore me Shtetet e Bashkuara, Osmani nuk ka të drejtë të flasë në emër të një shteti të tretë. “Nuk mund të flitet në emër të SHBA-së, pavarësisht se janë aleati ynë më i madh. Është e pavend dhe e papjekur politikisht”, tha Hasani.
Presidentja Osmani kishte deklaruar të enjten se në fund të muajit maj kishin marrë informacione specifike për përgatitjet e Serbisë për një përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës. Ajo theksoi se institucionet e vendit kanë vepruar me kujdes dhe se situata është nën kontroll, duke shtuar se qytetarët nuk kanë arsye për panik.
Në këtë kontekst, Osmani përmendi edhe një deklaratë të ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili kishte bërë të ditur se ushtria serbe ishte pozicionuar afër kufirit me Kosovën.
Ndërkohë, Hasani e përshëndeti rezervimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të komentuar deklaratat e presidentit Trump. Sipas tij, një qëndrim i tillë është i mençur, pasi nuk është detyrë e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës të interpretojnë deklarata të një lideri të një vendi të tretë.
Deklarata e Osmanit ka ngjallur diskutime të shumta në skenën politike dhe atë publike, duke rikthyer në vëmendje qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj zhvillimeve ndërkombëtare dhe ndjeshmërinë që kërkon raportimi për çështjet e sigurisë kombëtare.