Kosova

Haradinaj takon të dërguarën britanike: Nevojë urgjente për konsolidimin e institucioneve demokratike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është takuar sot me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, e cila po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka bërë të ditur se me diplomaten britanike kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe për domosdoshmërinë e konsolidimit të institucioneve demokratike.

“Roli i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë jetik jo vetëm në lirinë e Kosovës, por edhe në zhvillimin e saj. Mbretëria e Bashkuar edhe sot vazhdon të jetë ndër faktorët kyç në paqen dhe stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit”, ka shkruar Haradinaj.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes britanike në rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim.

Takimi vjen në një kohë kur Kosova po përballet me sfida të brendshme politike dhe me presione ndërkombëtare për të avancuar në reforma dhe në dialogun me Serbinë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button