Kosova

Haradinaj: Kosova dhe Parlamenti janë peng i Kurtit – Vendimi i Gjykatës jep shpresë për zgjidhje

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova dhe Parlamenti i saj po mbahen peng nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Duke komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e një mase të përkohshme pas skadimit të afatit 30-ditor për konstituimin e institucioneve, Haradinaj tha se kjo mund të jetë një shenjë pozitive.

“Koha është e shkurtë, kjo masa e përkohshme është për dy javë. Na jep shpresë që pas dy jave do të ketë një vendim të ri të gjykatës me një masë finale. Kjo ndoshta është e mira e kësaj. Për dy ditë kryhet afati, pra edhe nesër kemi afat. Mendoj që ky dy-javësh nuk është shenjë e keqe, sepse nuk do të shkohet në pakufi pa një përgjigje,” u shpreh Haradinaj para gazetarëve.

Ai shtoi se kjo periudhë mund të jetë koha që i nevojitet Gjykatës për të nxjerrë një vendim përfundimtar.

Lidhur me seancën e sotme të Kuvendit, që mund të jetë e fundit brenda afatit kushtetues, Haradinaj tha se AAK nuk ka ndryshuar qëndrim.

“Kemi ardhë me shpresë që do të ketë një lëvizje nga ata që po e mbajnë peng situatën, nga Kurti. Ne i kemi dhënë edhe ndihmë që t’ia japim votat pa asnjë kalkulim politik për një kandidat përbashkues dhe për të kthyer votimin e hapur,” tha ai.

Ai kritikoi edhe kryesuesin e seancës, Glauk Konjufcën, duke përmendur sjelljen e tij gjatë drejtimit të punimeve.

“Është një situatë shumë e rëndë me zotëri Deharin. Ai po e menaxhon shumë keq seancën, është një lloj nervoze, nuk e di ka u buron ajo nervozë, ajo frikë se po ndodh ndonjë tragjedi nëse dikush e thotë një fjalë. Është një sjellje shumë e habitshme.”

I pyetur nëse partia e tij është e gatshme për zgjedhje të reja, Haradinaj tha se ato nuk duhet të jenë opsioni i parë.

“Nuk mendojmë që duhet të favorizohen zgjedhjet pa i shteruar mundësitë për të krijuar institucionet. Nuk do të ishte në rregull të nxitohemi për zgjedhje sepse ato mund të na sjellin një situatë të ngjashme. Kuptohet që jemi të gatshëm, por ato duhet të jenë e fundit.”

Në fund të deklaratës së tij, Haradinaj theksoi se aktualisht, “Kosova dhe Parlamenti janë peng i Kurtit”, ndërsa akuzoi kryeministrin në detyrë se “e ka ndarë mendjen ta bëjë keq e më keq”.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button