Kosova

Hamza pas vendimit të Speciales: Po minohet besimi i popullit në drejtësi, Kosova s’do të lejojë rishkrim të historisë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, e ka cilësuar si “shumë zhgënjyes” vendimin e sotëm të trupit gjykues në Gjykatën Speciale, i cili rrëzoi mocionin e përbashkët të mbrojtjes së ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Sipas vendimit të Gjykatës në Hagë, nuk u pranuan kërkesat e avokatëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për të hequr nga aktakuza disa incidente që, sipas tyre, nuk bien brenda periudhës së konfliktit të armatosur.

Për këtë vendim, Hamza ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se vendime të tilla po e minojnë besimin e qytetarëve të Kosovës në drejtësi.

“Sjellja dhe vendimet arbitrare të Gjykatës Speciale po e minojnë besimin e popullit tonë në drejtësi dhe do të lënë pasoja të pariparueshme në sistemin juridik. Ne e kemi krijuar Gjykatën Speciale si përgjigje ndaj kërkesës së aleatëve tanë dhe si besim në drejtësinë ndërkombëtare. Nuk e kemi krijuar që bashkësia ndërkombëtare përmes saj të realizojë agjenda politike jashtë çdo logjike juridike,” ka shkruar ai.

Hamza theksoi se Kosova nuk do të lejojë që lufta për liri të komprometohet dhe se nuk do të lejohet rishkrimi i historisë së saj.

“Kosova nuk do të lejojë që lufta për liri e popullit tonë të komprometohet në emër të një balancimi të rremë të drejtësisë. Kosova nuk do të lejojë rishkrim të historisë sonë!”, përfundoi ai.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button