Hamiti: VV po justifikon veprimet e kaluara, Kurti pranoi më shumë se Asociacion

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje se po përpiqen të arsyetojnë aktet e dhunës të kryera në Kuvendin e Kosovës, duke u thirrur në kundërshtimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Hamiti ka theksuar se këto justifikime po paraqiten në procese gjyqësore kundër deputetëve të VV-së.
Sipas tij, paradoksi qëndron në faktin se lideri i VV-së, Albin Kurti, tashmë ka pranuar më shumë se Zajednicën përmes marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit të arritura në vitin 2023.
“Deputetët e VV-së po e arsyetojnë dhunën e tyre në Kuvend, për çka shumë prej tyre janë në gjyq, me kundërshtimin e Zajednicës, siç e quajnë Asociacionin. Në të vërtetë, lideri i tyre suprem, deputeti Albin Kurti, ka pranuar më shumë se Zajednicë me Marrëveshjet e Brukselit/Ohrit në vitin 2023”, ka shkruar Hamiti.
Ai e ka quajtur “vetëmenaxhimin e serbëve” të pranuar nga Kurti si një formë të autonomisë politike-territoriale për komunitetin serb, duke e cilësuar këtë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Kosovës.