Kosova

Hajredin Kuçi dhe të tjerët, të gatshëm për gjykim në fillim të vitit 2026

Mbrojtja e Hajredin Kuçit, përmes avokatit Alexander Admiraal, ka bërë të ditur se janë të gatshëm për gjykim në këtë çështje në fillim të vitit 2026. Kuçi, së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Isni Kilajn, akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

“Mbrojtja pret të jetë e gatshme për gjykim në fillim të vitit të ardhshëm”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Avokati Admiraal ka treguar disa periudha kohore kur nuk janë të disponueshëm: nga 8 deri më 16 janar 2026 dhe nga 5 deri më 18 mars 2026. Mbrojtja ka njoftuar gjithashtu se planifikon të kërkojë analizë forenzike për çdo material të sekuestruar nga klienti i tyre dhe se vendimet për hetime të mëtejshme do të merren pas përfundimit të zbulimeve.

Sipas aktakuzës, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në paraburgim në DhSK më 6 dhjetor 2024, ndërsa Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në Hagë më 5 dhjetor 2024. Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza dhe fletëthirrja për paraqitjen e parë më 9 dhjetor.

Aktakuza thotë se Thaçi, së bashku me grupet e tjera, ka ndjekur një model sjelljeje për të penguar zyrtarët në kryerjen e detyrave të tyre, duke përfshirë vizita jo të lejuara në objektet e paraburgimit në vitin 2023. Thaçi akuzohet për tri vepra për pengim të personit zyrtar, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të zyrtarëve dhe mosbindje ndaj gjykatës, kurse Kuçi ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button