Kosova

Hajdaraj i bën thirrje Presidentes që të dekretojë Blerim Isufajn si kryeprokuror të shtetit

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, nga Konferenca Vjetore e Prokurorit të Shtetit, i ka bërë thirrje Presidentes së Kosovës që të dekretojë kandidatin Blerim Isufaj në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

Hajdaraj tha se Këshilli ka propozuar për herë të dytë kandidatin për këtë pozitë, por Presidentja ende nuk ka ndërmarrë veprime, gjë që sipas tij ka krijuar probleme funksionale në sistemin prokurorial.

“Këshilli ka propozuar sërish kandidatin për herë të dytë për pozitën e kryeprokurorit të shtetit, dhe Presidentja nuk ka vepruar tutje. Mbajtja e pozitës me ushtrues detyre për një kohë kaq të gjatë nuk është pozitive”, deklaroi Hajdaraj.

Ai shtoi se një organ nuk mund t’i ushtrojë kompetencat në dëm të një organi tjetër, duke kërkuar reflektim institucional nga ana e Presidencës.

“Nga kjo konferencë i bëjmë thirrje Presidentes së shtetit që të reflektojë dhe të dekretojë propozimin e Këshillit për kryeprokuror të shtetit,” u shpreh Hajdaraj.

Gjatë fjalimit të tij, ai u ndal edhe te proceset e brendshme të Këshillit Prokurorial, duke bërë thirrje që gjatë votimeve të respektohen rregullat dhe të mos fotografohet vota.

“Mos fotografoni votën,” tha Hajdaraj, duke kërkuar respektimin e rregullores për zgjedhjen e anëtarit të KPK-së nga radhët e prokurorive themelore.

Në fund, Hajdaraj përmendi edhe disa nga arritjet e sistemit prokurorial gjatë vitit të fundit, si rekrutimi i prokurorëve të rinj, vlerësimi i performancës, plotësimi i pozitave administrative dhe zhvillimi i karrierës përmes transferimeve e avancimeve.

/BetimipërDrejtësi/

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button