HAGA MES NORMËS DHE PERCEPTIMIT

Shkruar nga Dr. Agim A Krasniqi- Ekspert i të Drejtës Publike.
Si matet drejtësia në vendimin që pritet
Në fund të majit pritet vendimi i Kosovo Specialist Chambers në The Hague, moment që po ngarkon opinionin publik me pritshmëri të larta dhe interpretime të ndryshme. Përtej emocioneve dhe debatit politik, thelbi i këtij vendimi qëndron në një parim të thjeshtë, por themelor: drejtësia ndërtohet mbi prova dhe procedura, jo mbi narrativë. Pikërisht në këtë pikë takohen dy dimensionet e saj, legjitimiteti formal, i bazuar në standardet juridike, dhe legjitimiteti i perceptuar, i ndërtuar mbi mënyrën se si ky proces kuptohet dhe pranohet nga shoqëria.
Në esencë të çdo vendimi të tillë qëndron rigoroziteti procedural: respektimi i të drejtave të të akuzuarve, barazia e palëve, pavarësia dhe paanshmëria e gjykatës, transparenca dhe mbështetja në prova të besueshme. Këto elemente janë themeli i një procesi të rregullt ligjor dhe kusht për çdo vendim të besueshëm.
Një parim udhëheqës në këtë kontekst është in dubio pro reo, në rast dyshimi, vendimi duhet të jetë në favor të të akuzuarit. Ky standard nuk është formalitet, por garanci që askush të mos shpallet fajtor pa u provuar fajësia përtej dyshimit të arsyeshëm. Në praktikë, kjo do të thotë se barra e provës i takon prokurorisë dhe se çdo paqartësi apo mungesë bindëse provash peshohet në favor të të akuzuarit.
Në këtë pikë bëhet i rëndësishëm dallimi midis dy dimensioneve të legjitimitetit. Legjitimiteti formal i cili ndërtohet mbi respektimin e normave dhe procedurave juridike, ndërsa legjitimiteti i perceptuar që lidhet me mënyrën se si ky proces kuptohet dhe pranohet nga publiku. Këto dy dimensione nuk janë gjithmonë në harmoni, sidomos në shoqëritë post-konfliktuale, ku kujtesa kolektive dhe pritshmëritë për drejtësi janë të forta.
Rasti në Hagë do të testohet pikërisht në këtë ndërthurje: sa rigoroz është procesi dhe sa i besueshëm perceptohet ai. Debati publik, për rrjedhojë, duhet të mbetet i fokusuar te standardet, te cilësia e provave, te barazia e palëve dhe te pavarësia e gjykimit dhe jo te pritshmëritë apo dëshirat politike.
Çfarëdo që të jetë rezultati, pesha e tij do të varet nga një pyetje bazike: a është ndërtuar vendimi mbi një proces të rregullt ligjor dhe mbi prova që përmbushin standardin e kërkuar?
Drejtësia fiton besimin e publikut jo kur konfirmon pritshmëri, por kur dëshmon se i qëndron besnike parimeve të saj.
Shpresa ime si studiues është që vendimi i pritur të reflektojë plotësisht standardin “përtej dyshimit të arsyeshëm” dhe parimin in dubio pro reo. Nëse ky standard nuk përmbushet, atëherë drejtësia kërkon një vendim në favor të të akuzuarve.
Një trajtim më i detajuar i këtyre çështjeve paraqitet në monografinë time në përgatitje mbi drejtësinë penale ndërkombëtare.



