Gzim Shala: Moszgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë – skenar i ri bllokues në Kuvend

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, e ka cilësuar si “skenar të ri bllokues” moszgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Në një deklaratë për Betimi për Drejtësi, Shala tha se aktualisht ekziston vetëm një njoftim nga Gjykata Kushtetuese dhe jo aktgjykimi i plotë, por shtoi se edhe ky zhvillim përfaqëson një pengesë të re politike.
“Që nga momenti kur kanë përfunduar zgjedhjet, kemi parë një varg skenarësh bllokues. Ky është vetëm i radhës,” tha Shala, duke kujtuar edhe krizën e mëparshme politike lidhur me verifikimin e mandateve të deputetëve.
Ai përmendi gjithashtu zvarritjet në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe debatet për mënyrën e votimit të mbyllur, duke theksuar se edhe atëherë vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk u zbatuan me kohë.
Sipas tij, pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit pritej që institucioni të konstituohej plotësisht, por moszgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë ka krijuar një situatë të re bllokimi.
“IKD vazhdimisht ka theksuar se kjo qasje është kundërkushtetuese dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i pritshëm,” theksoi ai.
Shala sqaroi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës parashikon pesë nënkryetarë të Kuvendit – tre nga grupet më të mëdha parlamentare dhe dy nga komunitetet joshumicë – dhe se votimet për këto dy kategori janë të ndara, por të pandashme brenda secilës pako.
“Ashtu siç nuk mund të ndahet votimi për tre nënkryetarët nga grupet më të mëdha, po ashtu nuk mund të ndahet as për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë,” sqaroi Shala, duke kujtuar se kjo praktikë është ndjekur edhe në vitin 2021, kur kryesues i Kuvendit ishte Avni Dehari.
Ai tha se mënyra e fundit e votimit, përmes shortit, pa u plotësuar kushtet kushtetuese, ka prodhuar një rezultat të pritshëm – kundërkushtetues.
“Tash kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që konstaton se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar, sepse nuk janë zgjedhur të gjithë nënkryetarët,” shtoi ai.
Në fund, Shala apeloi që Kuvendi të veprojë me efikasitet dhe të mos ndërmarrë veprime që mund të vonojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Janë 12 ditë afat për konstituimin e Kuvendit, dhe me hyrjen në fuqi të aktgjykimit fillon sërish afati 48-orësh për caktimin e seancave. Është e rëndësishme që të veprohet me qartësi dhe jo të krijohen sabotime të reja,” përfundoi Shala.
/Betimi për Drejtësi/



