Kosova

Gruda: Vendimi i Gjykatës Supreme vulosi se funksionet e dyfishta janë të kundërligjshme

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Supreme, duke e cilësuar atë si konfirmim për kundërligjshmërinë e mbajtjes së funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që njëkohësisht janë edhe deputetë.

“Dje, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e shpalli të paligjshëm Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 për pajisjet elektronike fiskale. Ky vendim u bazua në Ligjin për Qeverinë, i cili e ndalon ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që janë njëkohësisht edhe deputetë. Në këtë rast, ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit”, deklaroi Gruda.

Ai shtoi se ky vendim nuk ka të bëjë vetëm me një individ të vetëm, por përfshin të gjithë ministrat, përfshirë edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të cilët vazhdojnë të mbajnë edhe mandatin e deputetit.

“Gjykata ka vulosur një të vërtetë që ne e kemi theksuar që nga dita e parë: mbajtja e funksioneve të dyfishta është e kundërligjshme dhe jokushtetuese. Kjo është edhe arsyeja që në seancën e parë e kemi kundërshtuar edhe raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve”, theksoi ai.

PDK i ka bërë thirrje Kurtit dhe anëtarëve të kabinetit të tij që të respektojnë aktgjykimin e Supremes dhe të ndalojnë, siç u shpreh Gruda, sulmet ndaj sistemit të drejtësisë.

“Gjithashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të jetë vigjilente dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi gjyqësor, i cili është i menjëhershëm dhe i detyrueshëm. Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, jo për shtet të njerëzve mbi ligjin”, përfundoi Gruda.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button