Gruda: Partia fituese s’mund ta bllokojë Kuvendin, Kushtetuesja ndalon votimin e fshehtë për kryetarin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar sot se, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit, por ka edhe detyrime që nuk mund të anashkalohen.
Në një konferencë për media, Gruda tha se vendimi i Kushtetueses e bën të qartë se partia e parë nuk guxon ta bllokojë procesin parlamentar dhe është e detyruar të kërkojë konsensus dhe kompromis.
“E drejta është e partisë fituese, por detyrimi është të mos e bllokojë Kuvendin. Detyrimi tjetër është me arrit konsensusin dhe kompromisin e nevojshëm,” theksoi ai.
Ai gjithashtu u ndal edhe tek çështja e mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit, duke theksuar se Kushtetuesja ka hedhur poshtë mundësinë e votimit të fshehtë në këtë rast.
“Janë tri paragrafë në aktgjykim që sqarojnë qartë se nuk mund të ketë votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit,” tha Gruda, duke shtuar se kjo e bën procesin më transparent dhe në përputhje me normat kushtetuese.