Kosova
Kryesore

Greva e punëtorëve të sigurimit fizik në QKUK pritet të përfundojë sot pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë fituese

Greva e punëtorëve të sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pritet të përfundojë sot, pas nënshkrimit zyrtar të kontratës për tender me kompaninë fituese.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili tha se të gjitha procedurat janë përmbyllur dhe që nga nesër punëtorët do të kthehen në vendet e tyre të punës me kushte më të mira.

“Greva sot në orën 11:00 zyrtarisht do të mbyllet dhe të gjithë punëtorët do të rikthehen në punë. Kushtet do të jenë më të mira, sepse është rritur shuma e mjeteve për këtë sektor,” tha Azemi.

Edhe kryetari i Shoqatës sindikale në QKUK, Hakif Sylejmani, konfirmoi se sot në orën 10:00 do të nënshkruhet kontrata me kompaninë fituese dhe pas këtij nënshkrimi do të pezullohet greva.

“Jemi të bindur se kontrata do të nënshkruhet sot dhe menjëherë do të fillojmë punën,” tha Sylejmani.

Greva kishte nisur për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës dhe pagave të punëtorëve të sigurimit fizik në QKUK. Me këtë marrëveshje, pritet që shërbimet e sigurimit të rifillojnë normalisht dhe pa ndërprerje.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button