Goditet një skemë trafiku kanabisi nga SHBA në Shqipëri përmes postës: 12 të arrestuar

Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Postën Shqiptare, ka zbuluar dhe goditur një skemë të mirëorganizuar të trafikimit të kanabisit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë, përmes pakove postare.
Gjatë muajit prill, autoritetet kanë dokumentuar dhe goditur tetë raste të trafikimit në qytetet Tiranë, Shkodër, Fier, Elbasan dhe Vorë. Në kuadër të operacionit, janë sekuestruar gjithsej 15.2 kilogramë kanabis me përqindje të lartë të substancës aktive THC.
Sipas të dhënave zyrtare, hetimet e nisura në mënyrë proaktive kanë zbuluar një model të ri trafikimi, ku autorët e dyshuar përdornin shërbimet postare për të transportuar lëndën narkotike, duke synuar shmangien e kontrolleve doganore.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar 12 persona, disa prej të cilëve në flagrancë, gjatë marrjes së pakove në filialet e Postës Shqiptare. Disa të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar.
Prokuroria e Tiranës njofton se hetimet janë zgjeruar me qëllim zbardhjen e të gjithë zinxhirit të përfshirjes në këtë veprimtari kriminale dhe parandalimin e përdorimit të kësaj metode të re trafiku droge në të ardhmen.