Kosova

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së po hyn në fazën e fundit, afati për mbylljen e mbrojtjes 14 nëntori 2025

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë po hyn në fazën e tij përfundimtare. Trupi gjykues ka caktuar datën 14 nëntor 2025 si afatin për përfundimin e paraqitjes së provave të mbrojtjes në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Vendimi u mor më 2 shtator nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, megjithatë gjykata ka sqaruar se kjo datë mund të ndryshojë, në varësi të ecurisë së procesit gjyqësor.

Mbrojtja e Thaçit, e udhëhequr nga avokati Luka Mishetiq, ka paralajmëruar se planifikon të mbyllë paraqitjen e dëshmive deri në fund të tetorit ose, në rast nevoje, deri në fund të nëntorit. Ndërkohë, mbrojtja e Krasniqit, përfaqësuar nga Aiden Ellis, ka bërë të ditur se do t’i duhen vetëm disa ditë pasi ka parashikuar dy dëshmitarë sipas rregullës 154.

Për të përshpejtuar procesin, trupi gjykues po shqyrton mundësinë e shtimit të një jave pune shtesë, nga 6 deri më 9 tetor, ndërsa palët kanë afat deri më 4 shtator për të paraqitur kundërshtimet e tyre.

Gjykata ka urdhëruar gjithashtu që mbrojtja të dorëzojë me kohë kërkesat për dëshmitarët sipas rregullave 153, 154 dhe 155. Afati për dëshmitë sipas rregullave 153 dhe 155 është 10 shtator 2025, ndërsa për dëshmitë sipas rregullës 154, dokumentet duhet të dorëzohen tre javë para dëshmisë.

Nga ana tjetër, Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e provave të saj më 15 prill 2025. Në korrik, mbrojtja kërkoi heqjen e disa akuzave sipas rregullës 130, por mocioni u refuzua nga trupi gjykues.

Procesi pritet të hyjë në fazën përfundimtare në dhjetor, kur palët do të dorëzojnë parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat, gjë që është planifikuar të ndodhë deri më 22 dhjetor 2025, përpara pushimit dimëror të gjykatës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button