Kosova

Gjykata Supreme hedh poshtë padinë kundër ZRRE-së për udhëzuesin e tregut të lirë të energjisë

Kolegji i Gjykatës Supreme ka hedhur poshtë padinë e ngritur nga paditësi F.M., përfaqësues i biznesit individual N.T.P “ACN”, ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), lidhur me kërkesën për shfuqizimin e “Udhëzuesit për Daljen e Konsumatorëve në Tregun e Lirë të Energjisë Elektrike”.

Në aktgjykimin e saj me numër PA.nr.24/2025, Gjykata ka vlerësuar se udhëzuesi i kontestuar nuk përbën akt nënligjor normativ, pasi nuk përmban norma juridike me fuqi detyruese. Sipas arsyetimit të Gjykatës, dokumenti i ZRRE-së ka karakter informues dhe orientues, duke sqaruar për konsumatorët hapat që duhet të ndjekin për kalimin në tregun e lirë të energjisë elektrike.

“Ky Udhëzues nuk krijon, ndryshon apo shfuqizon norma juridike dhe nuk prodhon efekte detyruese për palët, prandaj nuk mund të jetë objekt i padisë për shfuqizim si akt nënligjor,” thuhet në aktgjykim.

Gjykata Supreme thekson se, në pajtim me nenin 10, paragrafi 4 të Ligjit për Konfliktet Administrative (LKA), ajo vepron si shkallë e parë dhe e vetme vetëm për paditë që kërkojnë shfuqizimin e akteve nënligjore normative, ndërsa të gjitha paditë e tjera shqyrtohen nga gjykatat e shkallës së parë.

Si përfundim, Gjykata ka vlerësuar se Udhëzuesi i ZRRE-së nuk ka efekt juridik detyrues dhe nuk mund të jetë subjekt i kontrollit të ligjshmërisë nga gjykatat, duke e shpallur padinë e N.T.P “ACN” si të palejueshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button