Gjykata Speciale rrëzon mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së për heqjen e disa pikave të aktakuzës

Gjykata Speciale në Hagë ka rrëzuar mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin kërkohej rrëzimi i disa pjesëve të aktakuzës për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha gjatë seancës së sotme se nuk kishte “bazë ligjore” për të rrëzuar ndonjë prej pjesëve të aktakuzës.
“Trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes, sipas rregullës 130, në tërësinë e vet”, deklaroi Smith. Ai shtoi se edhe nëse kundërshtimet e mbrojtjes do të konsideroheshin të suksesshme, ato nuk do të çonin në rrëzimin e asnjë pike të aktakuzës.
Gjithashtu, Smith theksoi se trupi gjykues “nuk është bindur që ka autoritet për të rrëzuar pjesë të akuzave”.
Ky vendim pritej të ndikonte në rrjedhën e mëtejshme të procesit gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit.
Seanca po vazhdon përkohësisht e mbyllur për publikun, me trajtimin e çështjeve të tjera procedurale.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, në një proces që është kritikuar gjerësisht për zgjatjen e tij dhe qëndrim të zgjatur pa vendim përfundimtar. Ata po gjykohen për akuza që lidhen me periudhën e luftës dhe pasluftës në Kosovë.