Gjykata Speciale rikthehet në punë, nis konferenca përgatitore për ish-krerët e UÇK-së

Gjykata Speciale ka rikthyer sot aktivitetin pas pushimeve verore. Për rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, sot do të mbahet konferenca përgatitore për mbrojtjen.
Sipas programit, gjatë shtatorit do të zhvillohen 10 seanca, ndërsa në tetor janë parashikuar dy të tjera. Avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara, Skënder Musa, ka shprehur pritshmëri të mëdha për dëshmitarët, duke theksuar se dëshmitë mund të ndryshojnë rrjedhën e gjykimit.
“Këta dëshmitarë pres që të shkatërrojnë të gjitha pretendimet dhe provat e falsifikuara nga Serbia, si dhe dëshmitarët që kanë bashkëpunuar me Serbinë në gjykatën Speciale,” ka deklaruar Musa për RTK.
Nga ana tjetër, monitoruesi Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare e ka cilësuar procesin si të stërzgjatur dhe të mbyllur për publikun, duke kërkuar përshpejtimin e tij për të mundësuar vendimin e shkallës së parë.
Javën e kaluar, Apeli refuzoi kërkesat për lirim të përkohshëm të Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ndërsa prokuroria kërkoi që Thaçit t’i ndalohen vizitat nga familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij, me arsyetimin se po e informojnë për situatën politike dhe ekonomike në vend.
Pushimi veror në Gjykatën Speciale kishte filluar më 28 korrik dhe përfundoi më 15 gusht 2025. Gjatë kësaj periudhe, disa shërbime kanë funksionuar minimalisht, por gjykata mbeti funksionale dhe afatet gjyqësore kanë vazhduar të jenë në fuqi, përveç rastit kur gjykatësit kanë urdhëruar ndryshe.