Gjykata Speciale lejon Prokurorinë të përfshijë prova shtesë në rastin ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit

Gjyqtarja e procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara në Hagë, Marjorie Masselot, ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për të përfshirë materiale shtesë në listën e provave në rastin kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit – të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Vendimi është marrë më 17 tetor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas dokumenteve gjyqësore, këto materiale shtesë përfshijnë të dhëna të nxjerra nga pajisjet elektronike të zbuluara më parë dhe pritet të sqarojnë e plotësojnë provat ekzistuese të Prokurorisë. ZPS argumentoi se përfshirja e tyre nuk paragjykon mbrojtjen dhe është në interes të drejtësisë, pasi ndihmon në kuptimin më të plotë të akuzave.
Mbrojtja e pesë të akuzuarve kundërshtoi ashpër kërkesën, duke pretenduar se Prokuroria ka vepruar jashtë afateve të përcaktuara dhe se përfshirja e materialeve të reja në listën e provave kërkon një kërkesë formale për ndryshim, të cilën ZPS nuk e ka bërë. Ata theksuan se veprimi është i vonuar dhe cenon të drejtën e mbrojtjes për t’u përgatitur për gjykim.
Megjithatë, gjyqtarja Masselot vlerësoi se Prokuroria ka paraqitur arsye të vlefshme për tejkalimin e afatit të 17 shkurtit 2025 dhe se materialet e reja janë të kufizuara në vëllim e kompleksitet, pa paraqitur elemente të reja të çështjes. Ajo theksoi se procesi ende nuk i është kaluar trupit gjykues dhe nuk është caktuar data e fillimit të gjykimit, ndaj ka kohë të mjaftueshme për shqyrtimin e provave shtesë.
Në vendimin e saj, Masselot e konsideroi të panevojshme kërkesën e mbrojtjes për një procedurë formale të ndryshimit të listës së provave, duke theksuar se kërkesa e Prokurorisë për zbulimin e materialeve shtesë nënkupton edhe përfshirjen e tyre në listën përkatëse.
Prokuroria është urdhëruar që t’i zbulojë këto materiale deri më 22 tetor 2025.
Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ku po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ndërkohë, në dhjetor 2024, ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij u ngrit edhe një aktakuzë për pengim të administrimit të drejtësisë.
Sipas aktakuzës, Thaçi dhe të bashkëakuzuarit akuzohen se kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarët e ZPS-së përmes vizitave jo të privilegjuara të zhvilluara më 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Në total, Thaçit i ngarkohen tri akuza për pengim të personit zyrtar, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa të tjerët për tentativë pengimi dhe mosbindje ndaj gjykatës.



