Kosova

Gjykata në Prishtinë jep dënime me burg dhe gjoba për dy të akuzuarit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarve Avni Lajqi dhe Brahim Berisha, në lidhje me rastin e përgatitjes së vrasjes së Musa Demajt, i njohur si Loshi.

I akuzuari Avni Lajqi është dënuar me 5 vite burgim për veprën penale “përgatitje e vrasjes së rëndë”, si dhe me 2,500 euro gjobë për “armëmbajtje pa leje”. Në këtë dënim do të llogaritet edhe koha që ai ka kaluar në paraburgim.

Ndërkohë, për Brahim Berishën prokurori është tërhequr nga aktakuza për përgatitje të vrasjes, duke e refuzuar atë. Ai është dënuar vetëm për “armëmbajtje pa leje” me një gjobë prej 500 eurosh, pasi kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Avni Lajqi dhe Brahim Berisha dyshohen se kanë vepruar me rekomandim të Egzon Hasangjekajt, pas një mosmarrëveshjeje që ky i fundit kishte pasur me të dëmtuarin Musa Demaj në SHBA, në vitin 2021. Në shenjë hakmarrjeje, ata kishin planifikuar privimin nga jeta të Demajt.

Prokuroria pretendon se Lajqi kishte pranuar të kryente veprën për 100 mijë euro, ndërsa kishte bërë marrëveshje me Berishën që të angazhohej për 70 mijë euro. Ata kishin siguruar edhe armën që do të përdorej, e cila më 20 shkurt 2024 ishte sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, më 28 mars 2024 në shtëpinë e tij, Lajqi ishte gjetur me armë dhe fishekë pa leje, ndërsa në shtëpinë e Berishës policia kishte zbuluar një armë automatike me dy karikatorë dhe 20 fishekë.

Aktgjykimi u shpall të premten nga gjyqtari Vesel Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button