Gjykata në Prishtinë jep 15 vjet burg për dy persona të shpallur fajtor për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, të akuzuar për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë. Të hënën, në një gjykim të zhvilluar në mungesë, të dy u dënuan me nga 15 vjet burgim.
Rajkoviq dhe Deniq akuzoheshin për pjesëmarrje në dëbimin e popullatës civile shqiptare në Prishtinë, plaçkitje, dhunë fizike dhe psikike ndaj civilëve, si dhe dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare gjatë fushatës së gjerë ushtarake serbe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999.
Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rrahman Beqiri, i cili bëri të ditur se dënimi do të ekzekutohet brenda 15 ditësh nga data kur aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm.
Të akuzuarit janë urdhëruar gjithashtu të paguajnë shpenzimet e procedurës: nga 200 euro secili për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Ndaj tyre, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 27 nëntor 2023, duke i identifikuar si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Sipas aktakuzës, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të njësive ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, ata kanë kryer veprime të qëllimshme dhe sistematike kundër popullatës shqiptare, përfshirë dëbime masive, tortura dhe përdhunime.
Të dëmtuarit janë udhëzuar të ndjekin kompensim përmes kontestit civil.
Vërejtje:
Sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës, personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin përfundimtar të formës së prerë nga gjykata.