Kosova

Gjykata në Gjakovë cakton paraburgim për një shtetas të Shqipërisë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj G.B., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i dyshuar për veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas Prokurorisë, më 8 shtator 2025, rreth orës 17:55, në fshatin Ponoshec të Komunës së Gjakovës, patrulla e policisë kufitare ndaloi një automjet me targa shqiptare që drejtohej nga i dyshuari. Gjatë kontrollit, me asistimin e Njësisë K9, në bagazhin e veturës u gjetën dy qese me substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, me peshë 1 kilogram e 48 gram, si dhe një qese e vogël me 1.77 gram.

Policia sekuestroi gjithashtu automjetin, 246 euro dhe 5,000 lekë shqiptare.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, vlerësoi se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke theksuar rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe rrezikun e ikjes nëse i dyshuari lihet i lirë.

Paraburgimi do të zgjasë deri më 7 tetor 2025, ndërsa palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button