Gjykata Kushtetuese sqaron tërheqjen e lëndës nga presidentja Osmani dhe statusin e gjyqtarit Radomir Llaban

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka reaguar zyrtarisht në faqen e saj në Facebook lidhur me tërheqjen e lëndës nga presidentja Vjosa Osmani, e cila si arsyetim ka përmendur caktimin e gjyqtarit Radomir Llaban në çështjen e ngritur nga ajo, duke deklaruar se Llaban paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.
Në sqarimin e saj, Gjykata ka theksuar se ndarja e lëndëve për shqyrtim bëhet në përputhje me rregulla procedurale të qarta dhe se vendimet merren në përbërje të plotë kolegjiale. Gjykata thekson se sipas nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës, trajton vetëm çështjet e dorëzuara nga palët e autorizuara dhe i respekton me përpikëri rregullat e brendshme.
Gjykata shpjegon më tej se Radomir Llaban është pjesë e institucionit që nga viti 2011, fillimisht si këshilltar juridik, dhe që nga 9 gushti 2018 ushtron detyrën e gjyqtarit pas përmbushjes së të gjitha procedurave kushtetuese dhe ligjore, përfshirë propozimin nga Kuvendi dhe dekretimin nga Presidenti. Për procedurat e shkarkimit të gjyqtarëve janë përcaktuar dispozita të qarta në Kushtetutë.
Në fund, Gjykata Kushtetuese thekson se trajton të gjitha kërkesat me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, në përputhje me mandatin e saj si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës në Kosovë.